Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.
Sot ai angazhohet për të drejtat e pakicave në Kosovë dhe respektohet shumë nga vendorët dhe të huajit. Ishte (2005-2007) kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Biografia
Adem Demaçi lindi, zyrtarisht, më 26 shkurt 1936, kurse, si mësojmë nga romani “Libër për Vet Mohimin”, që ka pjesërisht edhe karakter autobiografik, u lind, në të vërtetë, në kosimet e dyta, dikund në korrik 1935. Që nga lindja, me sa shihet, si çdo njeri të madh, do ta ndjekin vazhdimisht skajet e tipit shkurt-korrik. Se, derisa për njërën palë (Shqiptarët) do të jetë engjëlli mbrojtës i çështjes shqiptare, për palën tjetër (Serbët) do jetë satanai.
Nëse lufta për liri shënon shkallën më të lartë të emancipimit kulturor të individit dhe të popullit, atëherë mund të thuhet me gojën plot se Adem Demaçi është artikulimi më i kulluar dhe më i fushqishëm i aspiratave liridashëse të popullit tonë.
Adem Demaçi u rrit në një familje të varfër të Prishtinës. Babai, Zeqiri, i vdiq shumë herët nga tuberkulozi. Demaçi nuk i kishte mbushur as plot tetë vjet. Gjithë barra e familjes ra mbi të vëllanë e tij të madh, Maliqin, i cili, si gazetashitës, ia doli me shumë vështirësi të siguronte kashatën e gojës për familjen (tregimi “Një Natë Bajrami”). Por, pas pesë-gjashtë vjetësh i vdiq edhe i vëllai Maliqi po nga tuberkulozi. Atëherë, për t’i mbajtur në jetë dy fëmijët e mbetur, Ajshen dhe Ademin, nënë Nazifja iu qep vekut dhe duke endur pëlhura të ndryshme, arriti t’i ushqente disi fëmijët, madje edhe ta shkollonte Demaçin (tregimet “Vegjëtarja”, “Vegjëtarja në treg”). Demaçi do ta mbarojë shkollën fillore në Prishtinë më 1946, ku do ta kryejë edhe Gjimnazin real. Studimet në Degën e Letërsisë Botërore do t’i ndjekë plot pesë semestra në Universitetin e Beogradit, të cilat do të shtrëngohet t’i ndërprejë për shkak të sëmundjes së nënës. Ndaj, u kthye në Prishtinë dhe gjeti punë në veprimtarinë botuese të ndërmarrjes “Rilindja”. Burgosjes së Tij të parë, më 19 nëntor 1958, do t’i paraprijë shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi (“Kthimi”, “Mestani”), aksioni i armëve dhe Procesi i Prizrenit. Do ta goditë sidomos burgosja e gazetarit të devotshëm Sedat Dida, e cila do të ngjallë frikë e panik në mesin e punëtorëve dhe gazetarëve të “Rilindjes”. Në procesin gjyqësor të marsit të vitit 1959 të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Demaçi do të dalë hapur me kërkesën që pa bashkimin e Kosovës me Shqipëri, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Për këto qëndrime të tij u dënua me 5 (pesë) vjet burg të rëndë. Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në 3 (tre vjet), të cilat i vuajti në kazamatin e Sremska Mitrovicës.
Pas lirimit nga burgu, nuk e linin të zinte punë, me qëllim që t’u kallnin edhe më shumë datën të tjerëve për pasojat që mund të kishin. Për më tepër, me ardhjen e Hrushçovit në Shkup, pas tërmetit, më 1963, e izoluan dhe e mbajtën në burg gjatë gjithë qëndrimit të tij në ish-Jugosllavi.
Megjithatë, në fillim të viteve ‘60 ishin formuar në disa qytete të Kosovës, si në Pejë, Gjakovë e gjetiu, organizata të ndryshme, që luftonin në mbrojtje të kauzës kombëtare. Duke parë disponimin e masës për t’iu kundërvënë terrorit dhe dhunës së shtetit totalitar, veçmas politikës së egër antishqiptare, Demaçi bëri çmos të formohej Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, si dhe hartoi (bashkë me Ramadan Shalën, tash të ndjerë) Statutin dhe Programin e Lëvizjes. Lëvizja formoi komitetet e saj në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan; ndërmori një varg aksionesh për ngritjen e flamujve kombëtarë, u përpoq të vinte kontakte me lëvizjet e ndryshme revolucionare dhe ta propagandonte sa më shumë çështjen e pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, kjo LRBSH u zbulua mjaft herët dhe Demaçi si kryetari i saj u dënua me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, të cilat në fillim i vuajti në Nish, e pastaj, për ta larguar sa më shumë nga familja, e dërguan në Pozharevc, ku në kohën e ish-Jugosllavisë kishin vuajtuar dënimet shumë atdhetarë shqiptarë, midis të cilëve edhe Azem Bejta. Po e theksojmë këtë fakt, sepse kjo mbase do të jetë arsyeja që Demaçi të shkruajë në shtator të vitit 1969 dramën e parë me titull “Popu” (shkurtim i fjalëve po-litika dhe pu-shka), dorëshkrimin e së cilës e nxori nga burgu Xhafer Mamuxhiku, kryerat i Komitetit të Prishtinës, në një arkë me dy kapakë.
Pas ndryshimeve dekorative politike në ish-Jugosllavi më 1966, dënimin ia zvogëluan në 10 (dhjetë) vjet, të cilat i vuajti ditë më ditë deri më 8 qershor 1974.
Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975 dhe në procesin e montuar politik u dënua përsëri me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t’i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës. Më 21 prill 1990, me urdhrin e Kryesisë shtetërore të ish-Jugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë.
Janë proverbiale fjalët e tij pas daljes nga burgu: Që nga 21 prilli i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia e njerëzimit - në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare. Si luftëtarit më të paepur për lirinë e mendimit, si mbrojtësit më këmbëngulës të lirive dhe të drejtave të njeriut, Paralamenti Evropian, më 10 dhjetor 1991, i dha Çmimin Saharov. Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel.
Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar.
Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore, që do t’u bënin të mundshme grupeve etnike të ish-Jugosllavisë të jetonin së bashku në paqe e harmoni... Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet shoviniste serbe e akuzonin për luftënxitje?! Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel. Edhe në shtator u kandidua sërish për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar.
Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të intelegjencisë paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndëkombëtar për problemin e Kosovës.
Veprat letrare
- “Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.
- “Gjarpinjtë e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.
- “Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.
- “Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984.
- “Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim i kthyer në gjuhën letrare), “Buzuku”, Prishtinë, 1990.
- “Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.
- “Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.
- “Libër për Vet Mohimin” (ribotim), Rotanor Boksproduksjon AS, Skien Norway, 1994.
- “La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga Nermin Vlora Falaski), Romë, 1995.
- “Tung, vargu im”, “Rilindaj”, Prishtinë, 2002.
- “Heli dhe Mimoza”, botoi autori, Prishtinë, 2006.
- “Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.
- "Alb Prometeu", QNK "Arbnori", Tiranë, 2008.
Librat me intervista
- “Kosova flet vetë” (intervistoi M. Emërllahu), “Zëri i Rinisë”, Prishtinë, 1990.
- “Njëzet e tetë vjet - as i gjallë, as i vdekur” (intevistoi M. Hanzhek), “Lumi”, Lubjanë, 1990.
- “Republika e Kosovës është shpallur në zemrën e popullit tim” (vëllim me intervista), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1990.
- “Dhjetë mijë ditë robëri” (intervistoi F. Radonçiq), Danas, Zagreb, 1990.
- “Kosova në udhëkryq”, “Albanian Esperanto-Institut”, Tiranë, 2005
Shënim: Libri i tregimeve “Kur Zoti harron” ishte gati që më 1958, por botohet pas plot 32 vjetësh. Në atë kohë botohen edhe dy fragmente: “Maliqi” dhe “S’ka paqe ndër kasolle” të romanit “S’ka paqe ndër kasolle”, të cilin ia konfiksoi dhe nuk ia ktheu kurrë më policia. Më 1969 autori shkruan dramën, si e përmendëm edhe më lart, "Popu", e cila edhe sot e kësaj dite ngeli në dorëshkrim.
Për veprën letrare të Demaçit kanë shkruar: Hasan Mekuli, Nermin Vlora Falaski, Rexhep Qosja, Sadri Fetiu, Sefedin Fetiu, Arben Hoxha, Teki Dërvishi, Rexhep M. Shala, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Shkëlzen Maliqi, Kadrush Radogoshi, Abdullah Konushevci etj.