Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington, ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.
Biografia
Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA.
Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.
Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si "biblioteka lëvizëse".
Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.
Më 1909 Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.
Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.
Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.
Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.
Tituj të veprave
- L’Albanie et les Turces - Libre parole, (1895), Paris
- Albania - revistë, 1897-1909, Bruksel - Londër
- Memoire sur le mouvement national albanais, (1899), Bruksel
- Albania e vogël - fletore 1899 - 1901, Bruksel
- Trumbeta e Krujës - e përkohshme (1911), Sent Luis
- Jeta e Skënderbeut, (1912)
- L’Alemagne et’Albanie, (1915), Lozanë
- Një ambasadë e Zulluve në Paris, (1922)
- Shqipëria si m’u duk, (1928),
- Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit - novelë satirike (1924)
- Nën hijen e hurmave - përkthim e rikrijim i një zgjedhjeje të përrallave arabe nga Një mijë e një net, (1924)
- Fytyra e turinj të Shqipërisë
- Albania, The Rock Garden of Southeastern Europe, (1957), Boston
- Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës juglindore, (1991), Prishtinë
- Faik Konica, Vepra, (1993), Tiranë